ShkodraCity

Welcome to Shkoder Albania

  • Statistikat

    • 15,875 Vizitor Kan Qen Sot
  • .adHeadline {font: bold 10pt Arial; text-decoration: underline; color: #0000FF;} .adText {font: normal 10pt Arial; text-decoration: none; color: #000000;} try{var AdBrite_Iframe=window.top!=window.self?2:1;var AdBrite_Referrer=document.referrer==''?document.location:document.referrer;AdBrite_Referrer=encodeURIComponent(AdBrite_Referrer);}catch(e){var AdBrite_Iframe='';var AdBrite_Referrer='';} document.write(String.fromCharCode(60,83,67,82,73,80,84));document.write(' src="http://ads.adbrite.com/mb/text_group.php?sid=1141782&br=1&ifr='+AdBrite_Iframe+'&ref='+AdBrite_Referrer+'" type="text/javascript">');document.write(String.fromCharCode(60,47,83,67,82,73,80,84,62));

Shkodra e viteve 1755-1830 metropol zhvillimi shoqëror e kulturor

Posted by KLoDi on March 27, 2009

Shekulli XVIII, në gjysmën e dytë të tij,duke përfshirë edhe dekadat e para të shekullit XIX, i solli Shkodrës një zhvillim të paparë në lëmin ekonomik dhe shoqëror. Kjo periudhë siç dihet,i përket kohës së sundimit të Bushatlinjve, periudhë që në kujtesën popullore mbahej mend me emërtesën “vakti i Vezirit”. Themeluesi i kësaj dinastie, Mehmet Pashe Plaku, falë meritave personale, diti të shfrytëzojë situatën e krijuar nga anarkia feudale, e cila ishte një pengesë e fortë për nivele të reja të zhvillimit të tregtisë e të zejtarisë në përputhje me kërkesat e kohës për mbarë rajonin që po përjetonte krijimin e marrëdhënieve  të reja pasurore, pas shndërrimit të timareve në çifliqe, pasuar me degradimin e sistemit feudal ushtarak dhe dobësimin e autoritetit qendror të Portës së Lartë. Suksesi i sundimtarëve Bushatllinj qëndron në faktin që ata nuk hoqën dorë për tre çerekë shekulli nga prirjet autonomiste duke u përballë edhe ushtarakisht me potencialin luftarak të Perandorisë Osmane, një politikë që gë-zonte përkrahjen e gjerë të qytetarëve dhe të fshatarësisë së lirë, të interesuar për shporrjen e ushtarëve dhe nëpunësve turq. Në sajë të një politike të mençur dhe të faktit që hapësira e Pashallëkut  ishte në skajin perëndimor më ekstrem të Perandorisë, me një shtrirje bregdetare të lakmueshme, e bëri Shkodrën qy-tetin më të rëndësishëm të Shqipërisë, një “portë  e hapur” e lidhjeve me Evropën  e njëherë një urë lidhjeje Lindje-Perëndim.Të qenët qendër ndërballkanike e tregtisë dhe e zejtarisë e ktheu qytetin në një shtrat të favorshëm për gjallërimin e jetës shpirtërore e shoqërore, asaj kulturore e arsimore. Duke u bërë  jehonë prirjeve përparimtare të kohës, sundimtarët bushatllinj, si njerëz të shkolluar në institucione arsimore të aristokracisë osmane, qenë përkrahës të përkushtuar të këtyre zhvillimeve me kahe pozitive. Ata qenë të parët që themeluan institucione serioze siç qenë medresetë dhe bibliotekat, krahas xhamive, teqeve, urave, haneve, bezisteneve e objekteve të tjera të infrastrukturës publike. Njëra ndër “dallëndyshet” e para të kësaj “stine” ndjellamirë qe Medreseja e Qafës, njëra nga veprat e Mehmet Pashë Plakut, vlerat e së cilës nuk duhen harruar jo vetëm si vepër e nismës por dhe si institucion që hodhi themelet e një tradite të shëndoshë e frytdhënëse në lëmin e dijes. I biri, Kara Mahmut  Pasha nuk do të mbeste prapa të atit në këtë rrugë të mbarë e fisnike, por do t’i dhuronte hapësirës shkodrane një vepër dinjitoze siç  qe Medreseja e Pazarit, e cila do të merrte vlera të reja, sepse, ngjitur me të do të fillonte jetë Biblioteka e Pazarit, unikale në llojin e vet për krejt rajonin, falë faktit se ishte publike, as fetare, as private. Le ta vlerësojnë lexuesit e painformuar episodin e thjeshtë por kuptimplotë të mposhtëm: Në vitet e para të demokracisë, në Shkodër ishte për vizitë zyrtare ish-ambasadori i Italisë, z.Paolo Foresti. Gjatë takimit me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe të qytetarisë shkodrane u shpreh se ata duhej të krenoheshin me faktin që në qytetin e tyre kishte funksionuar “e para bibliotekë publike në Ballkan, ajo e Bushatllinjve”. Qëllimi kryesor i këtyre institucioneve nuk ishte vetëm përgatitje e hoxhallarëve të ditur, por njëkohësisht edhe formimi i një brezi civilësh, që krahas mësimeve teologjike, pajisjes me elemente të diturive të kohës, përfshirë aritmetikën, historinë, gjeografinë, mësonin arabishten, persishten si dhe osmanishten, e domosdoshme për karrierë administrative dhe për tregti. Këto institucione faktikisht ishin institucione shqiptare, fondet ishin shqiptare, pa asnjë subvencion të jashtëm, mësimet jepeshin shqip nga myderrizë shqiptarë. Nuk kanë munguar dhe myderrizë të huaj, specialistë të njohur të gjuhëve orientale dhe të Kur’anit, por këta qenë të paktë për një periudhë shumë dekadash sa që edhe mbahen ndërmend. Është me interes fakti  që këta personalitete fetare qenë shumë të njohur në vendet e tyre, kryesisht larg  Stambollit, si Krimea, Bullgaria, Thrakia, Egjypti, Anadolli, por për arsye politike e mospajtimi me sundimtarët lokalë patën kërkuar strehim mikpritës. Eksperienca të tilla dobiprurëse rritën cilësitë mësimore-edukative të medreseve të mësipërme, duke krijuar mundësi që të rinjtë shkodranë të talentuar të ndiqnin me lehtësi
mësimet më të larta në institucionet me prestigj të Stambollit, Damaskut, Kajros etj. Qenë këto dy medrese institucione, të cilat që para dy shekujsh e gjysmë e këtej u bënë fidanishte të një formimi fetar, intelektual e atdhetar të një plejade personalitetesh fetare e publike që lanë gjurmë në historinë e vendit e të kulturës sonë, siç qenë Jusuf Efendi Tabaku, Haxhi Sheh Shamia, Daut Boriçi,                          Hafiz Ali Ulqinaku, Ahmet Efendi Kalaja , e të tjerë të mëvonshëm.Duke iu kthyer dhe një herë vlerave të Bibliotekës së Bushatllinjve duhet të shtoj se edhe pasardhësit e tjerë Bushatllinj, si Ibrahim Pasha e Mustafa Pasha, me të atin Mehmet Asufin e me të birin, Hasan Shakim, e patën në qendër të vëmendjes pasurimin e mëtejshëm të atij institucioni, sepse sipas të dhënave të ditëve tona, përcjellë përmes infor-matave të autorit turk Ali Emiriu, (falë kumtesave të autorëve N.Krasniqi dhe G.Shpuza), si njëri si tjetri, qenë jo vetëm njohës të pasionuar të poezisë persiane, por edhe krijues poezish origjinale, nënshkruar me pseudonime-atribut si “Halil”, “Asaf”, “Sherif”, “Haki”, të gjithë me ngjyrë poetike. Është në meritën e këtyre sundimtarëve “mecenatë” që në inventaret e bibliotekave të tyre nuk përfshihen vetëm veprat fetare, por ato të gramatikës, fjalorët, ato të filozofisë, të historisë e gjeografisë, të kozmografisë, të jurisprudencës e kryesisht të letërsisë orientale. Studiuesit G.Shpuza dhe A.Basha kanë bërë përshkrime të hollësishme të kësaj pasurie. Janë me vlerë dhe kujtimet e studiuesit H.Bushati, i cili për disa vjet ka qenë administrator i asaj biblioteke që u  zhvendos në Tiranë, në v.1926-27, sipas një vendimi arbitrar dhe të pajustifikueshëm.
Ndikuar nga historiografia jonë apo e huaj, perceptimet tona mbi zhvillimet e mbara të Shkodrës në lëmin ekonomik e kulturor ishin mjaft të përgjithshme dhe merrnin karakterin e një klisheje-standart, ku njeri autor përsëriste tjetrin. Mirëpo me të dhënat shumë interesante të veprës madhore të Emiriut, “Poetët shkodranë të periudhës osmane” u ndjemë të befasuar, ashtu si vetë specialistët e fushës që krahas Bushatllinjve-poetë, radhiten mbi dhjetë krijues me vepra origjinale konkrete, vendosur në vite konkrete e me të dhëna të identifikueshme. Kjo e bën të pranueshëm përfundimin e autorit të cituar se “Shkodra paska qenë, shumë përtej parafytyrimeve tona optimale”,një thesar që shfaqet rishtazi i letërsisë osmane. Kuptohet se përkufizimi përfshin të gjithë krijimtarinë poetike origjinale të shkruar jo vetëm në turqisht, por dhe në arabisht e posaçërisht në persisht, mbështetur në modelet e Lindjes (gazele, kaside, divane, mevlude ,ilahi).
Nëse do të mbështetemi në logjikën historike e analizën shkencore të fakteve do t’i mënjanonim gjykimet nihiliste mbi tablonë e mësipërme dhe do të deduktonim se kjo krijimtari, me veshje e gjuhë të huaj, ishte  e një pjekurie intelektuale të ngritur, e një shpirti të ndjeshëm ndaj së bukurës e fisnikes, plot dashuri për Krijuesin, natyrën, njeriun dhe e një mjeshtërie me vlera të mirëfillta. Megjithatë merita kryesore e saj qëndron tjetërkund: ajo shërbeu si shtrat e pastaj si katalizator i lindjes dhe i zhvillimit të mëtejshëm të alamiadës shkodrane, d.m.th. i letërsisë shqipe me alfabet arab e që më vonë u emërtua “letërsia e bejtexhinjve”. Në vlerësimet e kësaj letërsie janë shfaqur mendime kontradiktore, megjithatë mbizotëron ai pozitivi e shkencori që dukurinë e analizon në dinamikën e vet të dobishme ku konstatohet se si ajo erdhi duke e pasuruar tematikën fetare, mistike e filozofike me temat laike, pasqyrë e realitetit të ditës. Për sa i përket alfabetit arab, analistët e trajtojnë si element dytësor, pasojë e rrethanave politiko-shoqërore, diçka kalimtare, e një proces nëpër të cilin kaluan dhe letërsitë motra, ajo e ritit katolik dhe ajo e ritit ortodoks. Gjykime të pjekura mbi këtë problematikë janë dhënë nga autorë seriozë si: G. Shpuza, R. Qosja, Sh. Osmani, K. Frashëri etj.
Në lidhje me arealin shkodran dukuria më pozitive në këtë drejtim është afirmimi i të talentuarve Molla Hysen Dobraçi dhe Molla Salih Pata, si krijesat po të një mjedisi pjellor ku jetuan e krijuan, pikërisht i oborrit të bushatllinjve që i përkrahën pa mëdyshje. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa sipas historianëve, ishte “qendra më e rëndësishme e botës mendore e shpirtërore shqiptare”. Studiuesi N. Krasniqi shkon dhe më tej: “… ishte fryma e iluminizmit evropian që ndihej fuqishëm dhe bënte ndikim. Ishte fryma e nacionalizmit, frymë e luftës për liri mendore, shpirtërore dhe prosperitet material. Shkodra me potencialin e saj ka qenë fanari kryesor që ka ndriçuar mendjen kombëtare shqiptare gjatë periudhës së bushatllinjve”.Faktet e mësipërme na bindin mbi domosdoshmërinë e zgjerimit dhe thellimit të fushës së njohjes e të vlerësimit të krijimtarisë së lartpërmendur ose të rivlerësimit të asaj që njihet, në sintoni me argumentimet serioze të autorëve kompetentë, të cituar më lart. Frashëri, Shpuza, Qosja, Osmani, Krasniqi etj. Të cilëve po i bashkëngjisim dhe konkluzionin që nxjerr një autor i huaj bashkëkohor perëndimori Robert Elsie: “…letërsia e quajtur myslimane, e shekujve të 18-të dhe të 19-të është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, element që mbetet për t’u vlerësuar si duhet”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: